Punimet në Tiranë-Durrës, 26 për qind e fazës së tretë, në diskutim një rrethrrotullim në Kashar
Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës kanë arritur në 26%, ndërsa po shqyrtohet një zgjidhje e re për qarkullimin në Kashar.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, zhvilluan këtë të hënë një inspektim në kantierin e fazës së tretë të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës, pas përfundimit të dy fazave të para.
Faza e tretë parashikon zgjerimin e autostradës në tre korsi lëvizjeje dhe një korsi emergjence, si dhe ndërhyrje në nyjet e Laknasit dhe Kasharit.
“Kjo fazë e kontratës përfshin zgjerimin në tre korsi dhe një tjetër emergjence. Ndërkohë përfshihet edhe mbikalimi në disnivel i Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike dhe me gjatësi 94 metra”, tha Kozeli.
Punimet kanë arritur në 26 për qind
Sipas drejtorit të ARRSH-së, punimet kanë arritur aktualisht në 26 për qind dhe kantieri është hapur në disa fronte njëkohësisht. Puna po vijon me mbushjen e bazamentit dhe tombinos, ndërsa në drejtimin Tiranë-Durrës kanë përfunduar muret mbajtëse dhe po kryhet mbushja e trupit të rrugës.
“Punimet janë të hapura në disa fronte. Ne ndodhemi në frontin ku po bëhet mbushja e bazamentit dhe tombinos, ndërkohë që në drejtimin Tiranë-Durrës kanë përfunduar muret mbajtëse dhe po vijon mbushja e trupit të rrugës”, tha Kozeli.
Një pjesë e rëndësishme e projektit është nyja e Laknasit, e parashikuar si një nyje në disnivel me katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse. Projekti përfshin gjithashtu një nyje në nivel për menaxhimin e trafikut të zonës së banuar.
“Sa i takon nyjës së Laknasit kemi një nyje në disnivel me katër rampa, dy hyrëse dhe dy dalëse, një nyje në nivel që do të shërbejë për trafikun dhe mjetet, sepse aty është një qendër e banuar, pra është një komunitet i tërë”, deklaroi Kozeli.
Mes nyjës në disnivel dhe asaj në nivel parashikohet gjithashtu ndërtimi i një rruge lidhëse me gjatësi rreth 300 metra.
Në diskutim një rrethrrotullim në Kashar
Gjatë inspektimit u diskutua edhe shqetësimi i ngritur nga bizneset dhe banorët për mënyrën e lëvizjes në zonën e Kasharit. Një nga alternativat që po shqyrtohet është vendosja e një rrethrrotullimi, në mënyrë që automjetet të mos detyrohen të udhëtojnë deri në Vorë apo Casa Italia për të kryer kthimin.
“Bizneset dhe banorët kanë ngritur si shqetësim pjesën e kalimit sa i takon Kasharit dhe aty është menduar vendosja e një rrethrrotullimi, që të mos shkojnë në Vorë apo Casa Italia për të bërë kthimin për të dalë në nyjen e Rinasit”, u tha gjatë inspektimit.
Sipas Kozelit, kontraktori është duke përgatitur një propozim konkret, i cili më pas do të paraqitet për diskutim në Këshillin Teknik. Megjithatë, hapësira e disponueshme në zonë nuk lejon ndërtimin e një rrethrrotullimi me diametër të madh, ndaj duhet të gjendet një zgjidhje që të mos krijojë probleme të reja me trafikun.
“Kontraktori po përgatit një propozim që do ta sjellë për diskutim në Këshillin Teknik”, tha Kozeli, ndërsa gjatë inspektimit u theksua se “duhet gjetur një zgjidhje që të mos sjellë trafik”.
Kontrata përfundon në prill 2027
Kontrata për fazën e tretë të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës ka afat përfundimi deri në prill 2027. Sipas ARRSH-së, megjithëse segmenti nuk është i gjatë, ai përfshin një numër të madh veprash arti dhe konsiderohet teknikisht kompleks.
Në projekt është parashikuar edhe mobilimi urban, si dhe ndërtimi i gjashtë mbikalimeve për këmbësorët në pika ku më parë kanë ekzistuar kalime me devijime të vogla. Sipas Kozelit, mbikalimet e reja për këmbësorët do të kenë gjatësi rreth 72 metra.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)